“Një ‘vullkan i ëmbël’…”/ 6 vite pa u takuar, Laerti emocionon me rrëfimin e ndjerë për të motrën, përlotet pas surprizës së saj

Një 'vullkan i ëmbël'…/ 6 vite pa u takuar, Laerti emocionon me rrëfimin e ndjerë për të motrën, përlotet pas surprizës së saj

Laerti ka marrë një surprizë emocionuese, e cila e ka bërë të shpërthejë në lot.

E motra që ka 6 vite pa e parë, e për të cilën aktori ka rrëfyer se ka një dobësi shumë të madhe për shkak të lidhjes që ata kanë formuar që në fëmijëri pasi ai si vëlla i madh është kujdesur shumë për të dhe e ka rritur, ka dërguar një letër për banorin në Big Brother.

Përmbajtja e letrës ka bërë që aktori të shpërthejë në lot.

Për mua do të jetë gjithmonë e vogël. Nuk ka lidhje me mua, Elena është një ‘vullkan i ëmbël’. Deri në 5 vjeç e mbaja në qafë. Prindërit mund të vinin në darkë ose mund të rrinin edhe 3 ditë pa ardhur dhe kalonte gjyshja, thjesht na shihte.

Kam qenë i ashpër me të përsa i përket shkollës. Por po e kam mërzitur për ndonjë gjë, nuk e kam bërë me dashje. Vetëm njëherë nuk ja kam plotësuar dëshirën motrës time. Kur ishim me pushimet e verës në Delvinë te gjyshërit, marrim autobusin dhe shkojmë në Sarandë për plazh. Ka qenë diku 3 vjeç dhe kërkonte një lloj ëmbëlsire që quhej torona asokohe. Jam rrotulluar, por s’munda të gjeja, s’kishte. 3 a 4 ëmbëltore kishte të gjitha Delvina. Kur e shikoja se si rrinte, besoj aty ka qenë momenti ku unë kam marrë vendimin që motrës time t’ja plotësoj të gjitha.

Kur vajta për herë të parë në Athinë në 1992-shin, i çova një organo. I çoja gjithmonë nga një gjë derisa u rrit. Më mungon. Përsakohë ishte në Athinë, unë aty isha gjithmonë derisa e përcolla në Amerikë. Duhej t’i printe jetës së saj.

Kur e kam afër, zihemi. Hera e fundit që jemi zënë ishte kur ndërroi jetë im atë, sepse kërkonte që të vinte dhe të digjte të gjithë procesin për të marrë nënshtetësinë amerikane, paçka se i thosha ti do 13 orë të vish dhe nuk arrin dot as varrimin, do jesh këtu për të tretat. Më merrte 100 herë në telefon dhe më thoshte hap arkivolin ta shoh me kamera, unë nuk ja hapja. I thosha s’ka nevojë të shohësh pamjen e një të pajeti. Deri sa ma mori dajua telefonin nga dora dhe hapi arkivolin që ja tregoi. Asaj aty i ra të fikët. Pësoi një goditje të madhe, u shtrua në spital. Unë kisha time mëm këtu që duhet të kujdesesha, mu bë dhe motra pastaj që duhet ta merrja në telefon dhe të pyesja si ishte.

Unë kam bërë një shfaqje të tërë që ja kam dedikuar motrës time. Sikur edhe në ditën më të keqe të jem, asaj nuk do t’i mungojë asnjë gjë”- tha banori në klip.

Laerti ka lexuar i përmalluar letrën, ndërsa lotët i rridhnin në faqe. Një letër mbushur plotë dashuri dhe kujtime nga fëmijëria e largët, krenari për njeriun që ai është tashmë, por edhe një mesazh për të ardhmen.

Laerti im i dashur, si je shpirt?! Jam në Nju Jork, dëgjoj Bethovenin dhe televizori është ndezur te ti. Të shoh dhe nuk të ndaj sytë sepse dua të të kuptoj. Më dukesh shumë i lodhur nga temperatura. Sikur të isha aty do të të përgatisja një supë të ngrohtë ashtu sikurse ti e bëje për mua dikur. Ishe vetëm fëmijë 7-vjeç kur more çelësat në qafë dhe u bëre nënë dhe baba për mua.

E kujton kur më thërrisje “ujku” dhe më vishje si çun me tutat e tua. Më merrje për gara me biçikleta dhe më çoje te stadiumi Dinamo, ku më lije të prisja topat jashtë porte. Po kur vije dhe më zgjoje nga gjumi duke bërtitur “zgjohu Elena, po na ndjekin”. Unë e përgjumur qeshja me lot, ndërsa ti imitoje personazhet e filmave dhe tregoje histori që vetëm mendja jote mund ti sajonte.

Jetoja çdo ditë në një përrallë ku ti ishe heroi im. Më çoje çdo ditë në shkollë, më regjistrove në një kurs pianoje dhe përpiqeshe me vështirësi të më bëje të doja Bethovenin që unë nuk e pëlqeja aspak. E urreja asokohe diktatin tënd, por sot vllaçko të falenderoj.

Ti vazhdove të ishe busulla ime edhe kur u zhvendosëm në Greqi. Aty bota jonë ndryshoi. Prindërit tanë që dikur kishin respektin e një qyteti të tërë për shkak të gradave mbi supe, u bënë njerëz të zakonshëm, të përulur nga jeta e re.

Krenaria jote nuk ishte vetëm për arritjet, por për faktin se këto arritje ishin shqiptare. Se ishe ti Laerti që përfaqësoje të mirën dhe më të bukurën e vendit tonë. Tani që të shoh në Big Brother, shpresoj që bota jashtë të njoh vlerat e tua të vërteta. Jam krenare për rrugëtimin tënd. Uroj që kjo të jetë një mundësi që ti të gjesh dritën që ishe dikur, para se të humbnim babain tonë të dashur.

Mos i harro fjalët e tij; “për të fituar një betejë duhet studim, zgjuarsi, strategji dhe mbi të gjitha asnjëherë dorëzim.” Sikurse thua edhe ti: Big Brother është një maratonë, jo një sprint.

Unë mami dhe shpirti i babit në qiell të urojmë me gjithë zemër fitoren. Zoti, Shën Mëria, engjëjt dhe yjet e qiellit ndriçofshin rrugën tënde. Të dua pafundësisht, Elen”- shkruhej në letrën e së motrës drejtuar Laertit.