“Mërzitem sepse nuk më del në ëndërr…”/ Nga humbja e të ëmës, te raporti me nënën e re dhe të motrat, Danja rrëqeth me rrëfimin në linjën e jetës
Një histori që mund ta gjejmë vetëm në filma. E tillë ishte ajo e Danjës, e cila ndonse vetëm 32-vjeç, ka rrëqethur me rrëfimin e saj emocionues në linjën e jetës.
Banorja ka rrëfyer për vështirësitë e jetës me humbjen e së ëmës për shkak të një sëmundje të pashërueshme dhe raportin e shkëlqyer me tre motrat dhe njerkën e saj, për të cilën me dashurinë më të madhe thekson se nuk e ka konsideruar kurrë si të tillë.
“Unë kam lindur në shtator nga dy prindër shumë të dashuruar me njëri-tjetrin, Martja dhe Bardhok. Gjeta në shtëpi dy motrat e mia, Aldora dhe Ertila. Ishim të lumtur shumë, por kjo tabloja e bukur dhe kaq e lumtur e familjes tonë nuk mund të zgjaste aq shumë sepse mami Martja u diagnostifikua me kancer.
Babi bëri çmos për ta shpëtuar, por pas një viti dhe pak, mami vdiq. Kur ajo humbi jetën unë kam qenë 2 vjeçe e gjysmë dhe nuk pata kurrë mundësinë ta njoh. Thonë se ka qenë një zonjë shumë e fisshme, një mësuese e mrekullueshme dhe një nënë shumë e mirë. Mërzitem hera herës sepse nuk më del në ëndërr, më ka dal vetëm një herë kur mami ishte sëmur dhe më tha; pa merak se nuk ta marr. Ndonëse nuk e di se si është imazhi i saj, përmes fotove jam përpjekur ta mbaj në mendje dhe do e mbaj gjithë jetën në zemër dhe mendje.
Në moshën 4 vjeç e gjysmë në jetën tonë erdhi Vita, nëna që më ka rritur. Ajo ishte vetëm 27 vjeç dhe u betua të na rriste ne 3 vajzave. Pas 3 viteve, Vita na fali Onën, e cila është vajza e vogël e shtëpisë. Unë e di që Ona gjatë jetës së vetë, e ka pasur të vështirë kur dikush me zemër të lig i ka thënë se nuk je e tyre. Ona, ti je zemra jonë dhe këtë duhet ta ngulitësh në kokë gjithë jetën.
Unë dhe motrat e mia Vitoren kemi vendosur të mos e thërrasim me atë emrin e shëmtuar njerkë, por Vita. Dhe për ne kështu ishte, nëna që vazhdoi jetën bashkë me ne. Më mungojnë këtu ushqimet e Vitës sepse shpesh më thonë që në shtëpi ti ke bujtinën e Vitës. Asaj mund ti them gjëra vajzash, mund ti them për dikë që jam dashuruar, por me babin e kam pak të vështirë sepse këta meshkujt sot e kanë mendjen e vështirë dhe babit do ti çoj në shtëpi vetëm atë që do të dijë të më dojë.
Redi mesa duket po ma plotëson zemrën. E di çfarë i them mamit para se të fle gjumë? Në momentet kur unë tregohem çapkëne dhe nuk jam kaq vajzë e mirë dhe strikte sa ti do të doje, të lutem mos më shih, shko te Aldora. Por ndër të tjera do të doja ti thoja ma, por më mungon dhe më ke munguar shumë. Vitës dua ti them faleminderit shumë. Babit do doja ti thoja faleminderit që ekziston sepse na e ke bërë jetën më të bukur, do të doja shumë të jemi ata që ti ke thënë gjithmon; çunat e mi”- tha Danja në rrëfimin e saj.