“Në moshën 12-vjeçare fillova hashashin”/ Gjesti rrëqeth me rrëfimin në linjën e jetës: Në Prishtinë nuk kisha as për të ngrënë as për të pirë, askush s’ma hapi derën…

Gjesti ka rrëqethur me rrëfimin e kryer në linjën e jetës sa i përket rrugëtimit të tij nga një adoleshent tepër i pabindur, në nisjen e karrierës si artist.
Megjithëse vetëm 24-vjeç, problemet ekonomike dhe sfidat e jetës kanë ndikuar së tepërmi në gdhëndjen e karakterit të tij. Gjesti rrëfeu për fëmijërinë e vështirë, dhe se si problemet ekonomike të familjes e shtynë drejt shoqërisë së keqe, përdorimit të substancave të ndaluara, deri në pikën sa ai donte t’i jepte fund jetës.
Besimi në Zot, ishte i vetmi shpëtim për banorin. Gjesti u shpreh se në momentin që nisi të falet, bëri një hap pas dhe vuri re se rruga që kishte zgjedhur po e çonte shumë poshtë, për këtë arsye duhej të ndryshonte. Ai hoqi dorë nga hashashi dhe në moshën 18-vjeçare u largua nga familja për të ndjekur pasionin e tij për muzikën me shpresë se do të mund të bënte një karrierë si artist.
Banori tregoi i përlotur për vuajtjet në Prishtinë, kur pa ngrënë e pa pirë gëdhinte natën dyerve të studiove muzikore në kërkim të një shansi që nuk do të vinte kurrë. Në momentin që e pa se qasja e tij ishte e gabuar, Gjesti u shpreh se vendosi që ta merrte vetë situatën në dorë.
Këngëtari kujton me nostalgji takimin për herë të parë ndër vite me prindërit, kur u kthye në shtëpi tashmë si një artist i suksesshëm. I penduar që e bëri familjen të vuante mungesën e tij pa kurrëfarë lajmi për një kohë të gjatë, Gjesti thekson se gjithçka në jetë e bën për t’ju dhënë prindërve, të vëllait dhe të motrës një jetë më të mirë.
“Jemi 3 fëmijë në shtëpi, me dy prindërit që i dua shumë. Për një kohë të gjatë kemi qëndruar në një shtëpi 1 katëshe, në kushte shumë të vështira. Një mur na ka ndarë prej lopëve, të cilat na mbanin dhe ushqenin. Punët e fshatit na kanë mbajtur. Babi dhe mami kanë punuar gjithë kohën për ne. Babi me shumë mund punonte në ndërtim dhe punë të tjera në fshat. E ka pasur shumë të vështirë të na mbante.
Kam qenë një djalë i rrugës, me shoqëri të keqe. Nuk e kam dëgjuar familjen, ua kam kthyer fjalën dhe në shumë raste i kam bërë për të qarë. Kam bërë shumë gjëra që nuk duhen bërë. Ja nisa të pi hashash që në moshën 12-vjeçare dhe kjo më krijoi shumë probleme me babin dhe mamin. Nuk isha më vetëvetja, Besardi, nuk e doja veten. Vendosa të largohesha prej botës, t’i jepja fund jetës.
Me ndihmën e Zotit, ja nisa të falem dhe vendosa ta lë kur e pashë veten se po shkoj shumë poshtë. Isha duke bërë mëkate me njerëz që nuk më kishin bërë asgjë, thjesht ishte problemi te unë. Babi kur e mori vesh që unë e konsumoja hashashin, për herë të parë i pash lotin në sy prej djalit të vetë.
Tani kur shoh ndonjë të moshuar duke qarë, më vjen shumë keq sepse më kujton babain tim. Nuk do të kisha dashur kurrë t’ua kisha kthyer fjalën prindërve. Të mos u kisha ngrysur as vetullat, jo më t’u ktheja fjalën.
Në moshën 18-vjeçare vendosa të ikja prej familjes për karrierën time. Normal që kanë qenë kundër, por s’kishin mundësi të më ndihmonin. Babi u përpoq të më ndihmonte të bëja një këngë, por nuk kishte të ardhura kështu që u largova prej tyre. E vetmja zgjidhje, e vetmja rrugë ishte të largohesha prej tyre, ti lëndoja dhe në fund të kthehesha në shtëpi dhe t’u thosha ja dola. E dija thellë në zemër se Zoti kishte për të ma hapur një rrugë. E dija që do të më ndihmonte sepse zemrën e kam të mirë. Shkova në Prishtinë, nuk kisha as për të ngrënë as për të pirë. Për rreth dy vjet, nuk kanë ditur asgjë për mua. Nuk dinin nëse kisha për të ngrënë apo për të pirë, nëse isha mirë apo më kishte gjetur diçka e keqe.
Kam shkuar nëpër studio të muzikës, u kam shkruar njerzëve për të më ndihmuar, askush nuk më ka ndihmuar. Kam fjetur para studiove të njerëzve, askush nuk më ka marrë brenda ose të më çelte derën. Aty vendosa që këtu duhet të çohesh vetë, duhet të jesh i fortë dhe të arrish gjithçka vetë. Kam hequr shumë për muzikën, por bëra gjithçka sepse e di që është një dhunti që ma ka dhënë Zoti. Jam pishman sepse për një kohë të gjatë u kam djegur zemrën, i kam lënë të mendojnë më të keqen për mua. Nuk e dinin ku jam. Por kur u ktheva me sukses gjeta babin te dera. Më dha dorën, ndërsa mami më ka përqafuar. Ai kur pa mamin, më përqafoi dhe ai. Çdo send u kry për mua sepse unë çdo gjë e kam bërë për ata, jo për vete. Mami ka qenë më e çelur me mua, më ka kuptuar, ishte një legjendë e vërtetë. Edhe pse ua kam kthyer fjalën dhe i kam bërë të vuajnë, besoj se më kanë falur dhe më kanë kuptuar. Unë jetoj për ata, për ta jam këtu. Dua t’i shoh të veshur, të mbathur. Ashtu sikurse më kanë rritur, dua t’i shoh edhe t’ua kthej në po të njëjtën formë, t’i rrisë dhe t’i mbaj pëllëmbë të dorës dhe unë. Dua t’i shoh, t’ua ndjejë zërin. Unë jetoj për ata, dua ti shoh mirë dhe u krye gjithçka”- tha Gjesti në rrëfimin e tij.